Zhegrova: Kandidatët e PDK-së janë përfaqësues të mirëfilltë të vullnetit të qytetarëve

113

Lajme

Kandidati për Asamblenë komunale në Vushtrri nga Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Vushtrri, Shpëtim Zhegrova, ka mbajtur takim njohës me qytetarë, ku të pranishëm ishin edhe Kryetari i Degës së PDK-së në Vushtrri, Kurtan Kajtazi dhe Kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

Kryetari i degës së PDK-së, Kurtan Kajtazi dhe Kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, vlerësuan lartë kandidatët për asamble nga Dega e Vushtrrisë, duke e cilësuar Listën si gjithëpërfshirëse, me kuadër të dëshmuar dhe profesional, aktivistë të arsimuar dhe me përvojë.

Po ashtu, ata vlerësuan lartë edhe angazhimin e asamblistëve në mandatin e kaluar dhe punën e jashtëzakonshme të Kryetarit Mulaku, duke veçuar angazhimin në shtrirjen organizative, angazhimin e kuadrove të reja në struktura.

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e qeverisjes së mirë dhe përfaqësimin dinjitoz të besimit të qytetarëve.

“Pikë qendrore e ofertës tonë është promovimi i modelit të qeverisje së mirë, ku qartësisht vendoset vija ndarëse mes politikës dhe administratës komunale e ku i pari i saj pyet qytetarët se si të shpenzohen mjetet e krijuara si dhe fuqizim të gruas e rinisë në qeverisjen lokale”, theksoi Ferit Idrizi.

Ndërsa kandidati për asamble, Z. Zhegrova ka qenë për dy mandatet e kaluara asamblist, theksoi se është mirënjohës ndaj qytetarëve që ia kishin dhënë besimin e prezantimit në asamble, por që pret të marrë përkrahje edhe në mandatin e ardhshëm.

“Është nder për mua të jem pjesë e listës fituese dhe vazhdimësi e një qeverisje të mirë që ka pasur Vushtrria në periudhën e fundit. Vazhdimësinë e qeverisjes së mirë e tregon edhe lista jonë, ku bartës i listës do të jetë kryetari më i suksesshëm i komunës në Kosovë, z. Bajram Mulaku”, theksoi Zhegrova, duke theksuar se ishte i nderuar të ishte  kryesues i Kuvendit Komunal. 



Ai ftoi anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë më të mirët, ngase, lista e PDK-së është më e mira dhe më e dëshmuara në shërbim të qytetarit.